Haradinaj takon Jasharajn: Rritje të pagave për punëtorët e arsimit 50%

Haradinaj takon Jasharajn: Rritje të pagave për punëtorët e arsimit 50%

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, me të cilin ka diskutuar për aktualitetin në arsim.

Ai ka thënë se partia që drejton ka respektuar gjithmonë misionin e sindikalistëve në mbrojtjen e interesave të mësimdhënësve.

Haradinaj ka treguar se në këtë takim ka konfirmuar synimin e AAK-së për rritjen e pagave për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50% si dhe ngritjen e buxhetit për arsim për 6%. “Unë personalisht dhe Aleanca, kemi respektuar gjithmonë misionin e sindikalistëve në mbrojtjen e interesave të mësimdhënësve. Kemi pasur shumë herë mospajtime por gjithmonë kemi qenë konstruktiv në veprime që mësimdhënësit të jenë të vlerësuar dinjitetshëm. Në takim me delegacionin e SBAShK, kryesuar nga z. Rrahman Jasharaj, u njoftova për sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe arsimi në përgjithësi. Po ashtu, me ta i ndava 14 prioritetet në sferën e arsimit që do të përfshihen në programin zgjedhor të AAK-së 2025-2029. E konfirmova synimin tonë për rritjen e pagave për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50% si dhe ngritjen e buxhetit për arsim për 6%. Arsimi do të jetë prioritet i Aleancës!”, ka bërë me dije Haradinaj.