Haradinaj: Raporti i Progresit pasqyron shthurjen e sistemit qeverisës në Kosovë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke e cilësuar atë si pasqyrim të shthurjes së sistemit qeverisës në vend.
“Raporti i Progresit, ashtu siç pritej, reflekton në masë të madhe shthurjen e sistemit qeverisës në Kosovë dhe largimin e vendit nga të gjitha proceset që e përafrojnë drejt Bashkimit Evropian”, tha Haradinaj në një postim në “Facebook”.
Ai shtoi se kjo shfaqet në cenimin e demokracisë parlamentare, ndërhyrjet në media, sabotimin e sistemit të drejtësisë dhe defektet në prokurim.
Postimi i Haradinajt:
Raporti i Progresit, ashtu siç pritej, reflekton në masë të madhe shthurjen e sistemit qeverisës në Kosovë dhe largimin e vendit nga të gjitha proceset që e përafrojnë drejt Bashkimit Evropian. Kjo shfaqet në cenimin e demokracisë parlamentare, ndërhyrjet në media, sabotimin e sistemit të drejtësisë, defektet në prokurim, e pothuajse në çdo fushë të jetës.
Në katër vitet e fundit, Kurti e largoi dhe e sabotoi Kosovën nga proceset që e bëjnë anëtare të NATO-s. Me këtë raport shihet se e gjithë agjenda e tij është largimi i Kosovës nga të gjitha integrimet euroatlantike.
Largimi i Kurtit nga qeverisja po shndërrohet çdo ditë në një obligim kombëtar për të gjithë ne.