Haradinaj përkujton luftëtarët e Dukagjinit: U rritën nën frymën patriotike
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot luftëtarët e Dukagjinit, Arben e Luan Qerimaj, Fetah Selca, Besim Alijaj, Rexhep Tafa dhe Haki Krasniqi”.
Haradinaj, në një postim në Facebook, tha se Arben e Luan Qerimaj, u rritën nën frymën patriotike e atdhedashëse, të inspiruar nga familjarët e tyre që ishin gjatë gjithë jetës në luftë me armikun.
Ai ka thënë se derisa nderojnë dëshmorët e luftës çlirimtare, ne kujtojnë se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë sot.
“Ishte lufta jonë çlirimtare që na solli Aleancën me NATO-n e udhëhequr nga Amerika. Falë sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe brezave që kontribuuan ndër vite për Atdheun sot ne gëzojmë shtetin e pavarur dhe Ushtrinë moderne që kryen misione përkrah shteteve aleate të NATO-s, e misionin tonë në sigurimin e lirisë sonë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, duke shtuar se lavdia u takon të gjithë atyre që u vunë në mbrojtje të Atdheut.