
Haradinaj për mundësinë e zgjedhjeve të reja: Po shihet në matje se Kurti ka rënie
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se këtij subjekti politik i bie mirë nëse mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në muajin gusht, nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Në emisionin DPT Fidani, ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje në bazë të matjeve del se vetëm ka rënie të përqindjes së votave.
“Unë po flas si deputet i AAK-së, AAK-së i konvenon sidomos në këto rrethanat çfarë janë, këto krizat, qoftë ekonomike, qoftë shtrenjtimi i rrymës, qoftë këto reagimet e qytetarëve, tregu i lirë energjetik, kostoja e madhe, aferat korruptive, që kanë shpërthyer nëpër ministri, nëpër shitblerje të energjisë elektrike në Kosovë. Unë mendoj se vet fatura do t’iu shkojë direkt mërgimtarëve, sepse Kosova fatkeqësisht nuk prodhon ndonjë gjë të madhe sa ta mbajë veten përpos remitancave që i kemi prej diasporës”, ka pohuar Haradinaj.
“Edhe këto kosto të shitblerjeve të energjisë që llogariten rreth 1 miliardë në periudhën në tre vjeçare e pak, shumica e atyre centëve janë të diasporës tonë. Po shihet edhe në përqindje të matjeve që Z. Kurti ka një rënie. Unë nuk po flas se çfarë kalkulimi ka bërë ai, por kalkulimi i AAK-së është se nuk bëhet fundi i botës. Por mendoj më shumë e dëmtojmë në rast se ne do t’i kemi tri palë zgjedhje për një vit. Nuk e dimë epilogun e rezultateve, ndoshta do ta kem edhe situatën e ngjashme mbas nëse do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme prapë”, ka thënë Haradinaj.
I njëjti ka shtuar se AAK-ja, nëse mbahen zgjedhje, do të ketë rezultat më të mirë se në zgjedhjet e 9 shkurtit. /Klankosova.tv