
Haradinaj: Orientimi që ka marrë udhëheqja politike po i rrezikon krejt të arriturat
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me anëtarë të partisë së tij në Pejë, ka thënë se Kosova sot është në udhëkryq, është në një fazë vendimtare politike.
“Orientimi që ka marrë udhëheqja politike, po i rrezikon krejt të arriturat e deritashme të Kosovës. Sot jemi në prag të humbjes së mbështetjes së partnerëve strategjikë, posaçërisht të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, që mund të ketë pasoja katastrofike për vendin. Në një situatë të tillë, është obligim i yni forcimi i alternativës politike që i jep fund “qeverisë anti-shtet të Albin Kurtit””, ka shkruar në Facebook Haradinaj.
“Sot Kryesia e Aleancës, në qytetin ku edhe është krijuar, në Pejë, me histori mijëra vjeçare e kurrë e nënshtruar, por gjithmonë në ballë, sikundër edhe në luftën e fundit të luftës për liri e për Atdhe, e fillon ciklin e diskutimeve për veprimet konkrete të mobilizimit të saj dhe të shtrirjes e të forcimit të Bashkimit, i cili tashmë e ka krijuar bërthamën e vet me Nismën Social-Demokrate, Klubin e Intelektualëve E-30 dhe me Listën Konservatore”, ka pohuar ai.
Haradinaj ka theksuar se ky bashkim politik “do të rritet dhe nuk do të ndalemi deri sa ta krijojmë masën kritike që i jep fund kësaj logjike antikombëtare qeverisëse dhe aspak nuk është e rastësishme, pse nga Peja”.
Sipas tij, Kosova është përcaktuar në rrugën e vet euro-atlantike dhe partneriteti me aleatët, veçmas me Amerikën, është i pandryshueshëm, pavarësisht kush mund të jetë në qeveri sot apo nesër.
“Dhe për të ndodhur kjo, para nesh dalin disa detyra urgjente. E para ta rikthejmë dinjitetin e njeriut që po shkilet pamëshirshëm nga kjo kastë qeverisëse, demokracinë në vend, ta ndalim trendin shqetësues të emigrimit dhe Kosovën ta përshtatim për t’u bërë pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe anëtare e NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.