Haradinaj në Shqiponjë: Të rënët janë udhërrëfyes i yni në realizimin e ëndrrës sonë për Kosovën anëtare e NATO-s
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999 në Shqiponjë, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të Atdheut.
Kështu ka thënë Haradinaj në ditën e çlirimit në Shqiponjë.
“Shqiponja, vend me traditë shekullore të angazhimit për liri, ishte e para që dha lajmin e lirisë. Fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999 në Shqiponjë, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të Atdheut. Kjo fitore u reflektua në mbarë vendin, e brenda disa javëve Kosova ishte e lirë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se të rënët mbesin udhërrëfyes për realizimin e ëndrrës sonë për tu bërë anëtare e NATO-s.
“Në përvjetorin jubilar të çlirimit, nderuam sot më meritorët, burrat e gratë që pushojnë në Kompleksin Memorial të Shqiponjës, që mbesin udhërrëfyes i joni në realizimin e ëndrrave tona për Kosovën e sigurtë, anëtare e NATO-s, përkrah aleatëve të prirë nga Amerika”, ka përfunduar Haradinaj.