Haradinaj me partnerët e koalicionit prezantojnë programin zgjedhor

Haradinaj me partnerët e koalicionit prezantojnë programin zgjedhor

Koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30 kanë prezantuar të mërkurën programin zgjedhor 2025-2029.

Katër partnerët e koalicionit prezantuan programin e përbashkët, i cili prek çdo sferë të jetës qytetare dhe forcon themelet e shtetit tonë.

Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky program është rezultat i një punë dyvjeçare që përfshinë katër shtylla kryesore, e siç janë anëtarësimi urgjent i Kosovës në NATO, zhvillimi i hovshëm ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe me konceptin Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur.

“Ky program është rezultat i mbi 20 tryezave tematike-sektoriale, dhjetëra takimeve e konsultimeve të organizuara nga Aleanca dhe partnerët e saj. Në këtë program kanë marrë pjesë qindra ekspertë të profileve e fushave të ndryshme, të ekonomisë e financave, arsimit e shëndetësisë, çështjeve sociale e kategorive të lirisë, sigurisë, politikës së jashtme e diplomacisë, energjisë, kulturës, ambientit, rinisë”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se ky program ka moton “Për një Kosovë ndryshe”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se ky program jep shpresë dhe mundësi, me ç’rast ka përmendur edhe objektivat e koalicionit.

“Nisma Socialdemokrate në veçanti fokus do të ketë: Reformën fiskale, përmes së cilës synohet fuqizimi dhe rritja e bizneseve të vogla dhe të mesme. Kthimi i Partneritetit Publiko-Privat, si koncept i cili ka rezultuar me sukses në vendin tonë. Paketa Sociale përmes reformës e cila do t’i mundëson familjeve me kushte të vështira ta përjetojnë dorën e shtetit. Ringritja e kapaciteteve energjetike përmes ndërtimit të termocentraleve dhe shfrytëzimit të resurseve dhe mineraleve tona. Investimi në Bujqësi përmes ngritjes së fondeve në stimulime dhe grante ndaj punëtorëve me qëllim harmonizimin e jetesës urbane dhe rurale. Reforma në drejtësi përmes matjes së përformancës dhe jo ndërhyrjes në të. Këto dhe pika të tjera do të vazhdojmë t’i elaborojmë në vazhdimësi, duke qenë falënderues ndaj grupit të ekspertëve dhe gjithë atyre që kanë punuar në ndërtimin e këtij programit të detajuar”, ka thënë Limaj.

Kryetari i Forumit Intelektual E-30, Artan Nimani, ka thënë se ky koalicion është një përkushtim i palëkundur për të ndalur degradimin e skajshëm diplomatik, ekonomik e social të vendit.

Abdullah Klinaku, kryetar i Listës Konservatore, ka thënë se në këtë program qeverisës familja ka qenë po ashtu një nga prioritete e programit, me ç’rast edhe i ka bërë të ditura propozimet në kuadër të kësaj çështje.