Haradinaj me kryesinë e AAK-së: Si koalicion po ndërmarrim një hap ambicioz drejt një të ardhmeje më të sigurt
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Aleancës u diskutua për orientimet programore dhe agjendën e parafushatës, si dhe u miratua rregullorja e brendshme financiare e AAK-së.
“Gjithashtu, pata mundësinë t’i informoj kolegët për vizitën time të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Gjatë qëndrimit tim në ShBA, theksi kryesor u vendos në kërkesën për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO. Ky hap përfaqëson kthesën më të rëndësishme për sigurinë e Kosovës dhe elementin kyç për garantimin e zhvillimit ekonomik dhe ngritjen e standardit të jetesës për qytetarët tanë, duke përfshirë pagat dhe pensionet e dinjitetshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka theksuar se anëtarësimi direkt në NATO është një strategji gjithëpërfshirëse që do të përmirësonte sistemet arsimore dhe shëndetësore, si dhe do të hapte perspektivë zhvillimi që do të ishte shtysë e madhe për qëndrimin e popullatës në vend, emigrimi i së cilës ka marrë përmasa shqetësuese.
“Kjo qasje pasqyron vizionin e gjerë që kërkon udhëheqja kombëtare. Duke e parë anëtarësimin në NATO si një përgjigje për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, Aleanca dhe partnerët e saj të koalicionit po ndërmarrin një hap ambicioz drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Kosovën”, ka theksuar Haradinaj.