Haradinaj me KDI: Bllokada e VV-së, e dëmshme

Haradinaj me KDI: Bllokada e VV-së, e dëmshme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, në krye me Ismet Kryeziun.

Haradinaj tha se KDI-ja është zë i artikuluar dhe i qëndrueshëm në të gjitha proceset politike në vend, sikurse në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme, me bllokadën institucionale që sipas tij, po e mban vendin peng.

“Sot, në takim me përfaqësuesit e KDI-së, të kryesuar nga z. Ismet Kryeziu, e rikonfirmova qëndrimin e Aleancës për të ofruar zgjidhje dhe për të ndihmuar daljen nga kjo gjendje e papranueshme”.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi dalë me propozime konkrete të emrave, që mund të jenë figura konsensuale, të cilat do të mund të merrnin besimin e shumicës së deputetëve për postin e Kryetarit të Kuvendit”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Tutje, Haradinaj e përmendi edhe faktin që AAK-ja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nevojshëm kushtetues, si instrument që sipas tij, mundëson zhbllokimin institucional dhe kthimin e kuvendit në funksionalitet të plotë.

“Bllokada e krijuar nga Vetëvendosje është e dëmshme dhe po i kushton vendit me pasoja të mëdha, politike, institucionale dhe ekonomike. Aleanca mbetet e përkushtuar që të jetë pjesë e zgjidhjes”, tha ai.