Haradinaj: Kurti e Bislimi po zbatojnë agjendën e Putinit

Haradinaj: Kurti e Bislimi po zbatojnë agjendën e Putinit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, po zbatojnë agjendën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, pas përkeqësimit të raporteve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjen e dinarit.

Qëllimi i Rusisë, në vlerësimin e ish-kryeministrit të Kosovës, është degradimi i marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që një gjë e tillë po ndodhë nën udhëheqjen e kësaj Qeverie mu në krye me Kurtin.

“Bislimi është në skenar të Kurtit, pra në skenar të Rusisë. Këta e kanë sjellë marrëdhënien tonë me aleatët në nivel të dinarit, pra një veprim i tillë është një strategji e Rusisë. Pra, Albin Kurti e Besnik Bislimi janë në agjendë të Vladimir Putinit”, ka konsideruar ai.

Krerët institucional, sipas Haradinajt, në vend se të punojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ata po përkeqësojnë raportet me aleatët.

“Kurti e Bislimi duhet të kërkojnë vendeve anëtare të NATO-s një listë të punëve, cilat punë duhet t’i kryejë Kosova për t’u futur në NATO, dhe këta duhet pa vonesë t’i zbatojnë ato punë. Ndërsa qasja që ndodh tani është pikërisht agjenda e Putinit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit./Albanianpost.com