Haradinaj: Italia ka dhënë kontribut të madh për paqen dhe sigurinë në Kosovë
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe që vepron në kuadër të KFOR-it italian në Kosovë.
Haradinaj tha se Italia ka dhënë kontribut të madh për paqen dhe sigurinë në Kosovë.
“Italia është një nga kontribuesit më të mëdhenj të paqes dhe sigurisë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke luajtur rol edhe në shumë procese të rëndësishme për vendin”.
“Partneriteti mes dy vendeve tona i krijuar prej vitesh, duhet të thellohet e zgjerohet në procese të rëndësishme që kemi përpara, siç është anëtarësimi i Kosovës në NATO, akt ky që do e forconte paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon dhe në këtë synim, roli i KFOR-it është i jashtëzakonshëm”, tha shefi i AAK-së.
Haradinaj tha gjithashtu se ka falënderuar Gjeneral Capodivento për angazhimin profesional dhe miqësor gjatë shërbimit të tij në Kosovë.
“Sot, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe që vepron në kuadër të KFOR-it italian, falënderova Gjeneral Capodivento për angazhimin profesional dhe miqësor gjatë shërbimit të tij dhe i urova mirëseardhje Kolonelit Rosati, me urimet më të mira për sukses në detyrën e re”, shkroi ai në Facebook.