Haradinaj: Gratë vendosin vetë, ato kanë vendosur 137
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot, në takime të ndara në Deçan e Pejë, ka shpalosur vizionin e partisë së tij drejt fuqizimit të rolit të gruas, nga e drejta e trashëgimisë te fuqizimi ekonomik.
“Programi ynë për Kosovën Fituese ofron plane konkrete veprimi:
• Ndryshimi i parë i menjëhershëm do të jetë zbatimi në plotni i Ligjit për trashëgiminë, ku çdo grua do të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme.
• Shteti do të ofrojë garanci dhe do të subvencionojë hua për biznese që udhëhiqen nga gratë.
• Do ta zbatojmë orarin fleksibil për gratë shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë nën moshën shkollore.
• Nënat që kanë 3 e më shumë fëmijë do të përfshihen në pagën minimale prej 500 eurosh.
• Do të mbështesim krijimin e familjeve të reja dhe rritjen e tyre: për fëmijën e parë do të jepen 1500 euro, për të dytin 2500 euro, dhe për të tretin 3500 euro”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka thënë se ky është zotimi i tyre për të ndërtuar një Kosovë ku barazia gjinore dhe mirëqenia familjare janë themel i shoqërisë sonë.