
Haradinaj: Aleanca u bë themeluese e institucioneve dhe i mbrojti ato
“Aleanca lindi nga liria, u rrit me lirinë, veproi në shërbim të lirisë dhe mbrojti paqen dhe lirinë në Kosovë. Aleanca u bë themeluese e demokracisë dhe pluralizmit, dhe e mbrojti demokracinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj në 25-vjetorin e themelimit të AAK-së.
Ai ka pohuar se Aleanca u bë themeluese e institucioneve dhe i mbrojti ato.
“Aleanca u bë themeluese e Republikës së Pavarur, të Kushtetutës, ligjeve, dhe mbrojti Republikën, Kushtetutën dhe ligjin në Kosovë”.
“Aleanca u bë themeluese e Ushtrisë dhe mbrojtjes në Kosovë. Aleanca u bë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike dhe vazhdon ta ndihmojë rritjen ekonomike të Kosovës”.
“Aleancës i qëndruan besnike strukturat, anëtarësia dhe votuesit e saj, por Aleanca mbajti besën ndaj votuesit dhe qytetarit, dhe e mbron qytetarin. Aleanca e mbajti besën ndaj aleatëve të sigurisë, NATO-s dhe Amerikës, dhe do ta ruajë këtë besë përjetë”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se: “Aleanca hasi në shumë pengesa, ashtu si Kosova, por i kaloi ato. S’ka pengesë që e heshtë dhe e pengon Aleancën për ta ndihmuar Kosovën, s’ka pengesë që e ndal Kosovën për në Aleancën Euroatlantike. Rroftë Aleanca! Rroftë Kosova!”.