Haradinaj: Aleanca me partnerët e koalicionit do t’i ofrojë vendit një qeverisje zhvillimore
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me rastin e shënimit të 24-vjetorit të themelimit të AAK-së në Obiliq, është shprehur se kur ka qenë kryeministër i vendit kjo komunë ka përjetuar zhvillimin.
“Gjatë kohës së qeverisjes së Aleancës u vendosën dinamika të reja në zhvillimin e vendit, nga të cilat përfituan edhe qytetarët e Obiliqit. Bashkë kemi arritur të shënojmë suksese të dukshme që kanë rezultuar në rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit në këtë komunë”.
“Në shënimin e 24-vjetorin e Degës, shpreha falënderimin ndaj secilit koleg që i qëndroi besnik vizionit të Aleancës. Kandidatin për kryetar komune, z. Agim Preniqi dhe strukturat e degës i përgëzova për punën e deritanishme, për energjinë e shfaqur të tyre ne rritjen e degës së Obiliqit”, ka thënë Haradinaj.
Ai është shprehur se Aleanca me partnerët e koalicionit do t’i ofrojë vendit një qeverisje zhvillimore.
“Në angazhimin tonë për t’i dhënë vendit një qeverisje zhvillimore, një qeverisje të mirë për mësimdhënësin, mjekun, pensionistin, kategoritë e lirisë, policin, ushtarin e secilin qytetar, ne jemi bashkuar në koalicion me Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30. Ky koalicion, që në fillet e tij ka marrë mbështetjen e qytetarëve dhe po shihet si platforma politike më serioze për ta bërë të mundur ndryshimin dhe zhvillimin që i nevojitet Kosovës”, është shprehur tutje Haradinaj.