Hapja e urës së Ibrit, ish-kryeinspektori i AKI-së: Pauza e arrogancës nga pushteti
Zyrtarët e pushtetit, kanë pushuar me deklarime për hapjen e Urës së Ibrit. Një ndër më të zëshmit, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, i është kthyer temave të tjera, ngjashëm edhe disa eksponentë të tjerë të partisë në pushtet.
E kjo “heshtje” duket se vjen pas vizitës së shefit të CIA-së në Kosovë, Willaim Burns.
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se po vërehet një pauzë e urrejtjes dhe arrogancës nga pushteti i Vetëvendosjes.
“Pauza e urrejtjes dhe arrogancës nga pushteti. Nga e premtja vërehet një mungesë e përhapjes publike së urrejtjes dhe manifestimit të arrogancës nga pushteti. Mbetet të shihet nëse kjo është vetëm një pauzë momentale apo kanë ‘mësuar’ çka nuk guxojnë të bëjnë më! Gjuha helmuese e eksponentëve të pushtetit ndaj faktorit ndërkombëtar, SHBA-ve, NATO-s, KFOR-it, BE-së, opozitës, shoqërisë civile, mediave, bizneseve, sindikatave etj., ka dëmtuar seriozisht shëndetin e shtetit tonë! Dëmi u bë. ‘Serumi’ i të premtes e ndaloi momentalisht gjuhën helmuese, por rikuperimi merr kohë. Pyetja themelore që mbetet: A dinë këta të propagandojnë pa përhapje të urrejtjes dhe manifestim të arrogancës apo thjesht janë çarmatosur?”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.