Hapet programi i edukimit “Trajner Sportiv”

Hapet programi i edukimit “Trajner Sportiv”

Komiteti Olimpik i Kosovës përme Akademisë Olimpike ka nisur për herë të parë programin e edukimit “Trajner Sportiv”, program ky i akredituar në fillim të këtij viti nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Krahas udhëheqësve të KOK-ut, në ceremoninë hapëse morën pjesë drejtues të federatave sportive, MKRS-së, komunës së Prishtinës, profesorë të FEFS-sit dhe kolegjit AAB, etj.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, theksoi se synimet e këtij programi janë të krijojmë trajnerë të aftë e të përgatitur profesionalisht, të cilët do të kenë ndikim të madh në zhvillimin e sportistëve dhe rritjen e sukseseve ndërkombëtare të Kosovës.

Programin e vlerësuan lartë edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, ish-dekani i FEFS-sit, Musa Selimi dhe dekani i Kolegjit AAB, Fatmir Pireva.

Programin “Trajner Sportiv” e prezantuan në detaje udhëheqësit e Akademisë Olimpike, koordinatori i edukimit arsimor, Fitim Arifi dhe koordinatorja e vlerave olimpike, Diellza Kelmendi.

Gjeneratën e parë të programit do ta vijojnë 46 vijues, të cilët kryesisht vijnë nga federatat sportive dhe klubet.