Hapet ekspozita fotodokumentari “KFOR and Kosovo + 25”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ekspozitën e fotodokumentarit “KFOR and Kosovo + 25” që shënon edhe 25-vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, ekspozitë kjo që po shfaqet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Kryeministrit Kurti fillimisht iu prezantua ekspozita me fotografi të fotografit Nick Sidle, nga organizatorja e organizatës “Heartstone” Sita Kumari.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se ende ishte nën mbresat e këtyre fotografive të kësaj ekspozite që porsa i pa në një mënyrë të dyfishtë; e para për shkak se jemi në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit e të paqes, të hyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë; dhe së dyti, për shkak se dy vitet e gjysmë të para të lirisë, ai ka qenë rob lufte.
“Nga i burgosur politik me datën 10 qershor, bëhem rob lufte. Janë ato dy vjet e gjysmë të para të cilët nuk i di për shkak se kam qenë i mbyllur dhe i izoluar, dhe të gjitha këto ekspozita dhe shfaqje e paraqitje të cilat na kthejnë 25 vjet përpara nuk janë të tilla që më rikujtojnë mua sa më mësojnë për atë që më mungon. Andaj falënderoj me mirënjohjen më të thellë organizatoren për këtë’’, tha ai.
Duke kujtuar ditët e luftës, kryeministri theksoi se kjo ekspozitë njëmend na kthen pas, në muajt e parë të lirisë dhe sjellë në pah një periudhë historike të rëndësishme për të gjithë neve, na e sjellë kontrastitn ndërmjet çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hirshme të njerëzimit.
Fjalë rasti mbajtën edhe Lord George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministër i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, zJonathan Hargreaves.