Hamza: Ura e Ibrit duhet të hapet, Albin Kurti nuk po e hap – po e cementon prezencën e NATO-s aty
Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth temës së shumë diskutuar ditëve të fundit, atë të Urës së Ibrit. Hamza ka thënë se Ura mbi Ibër duhet të hapet, megjithatë ka thënë se janë dy çështje që duhet adresuar, kur dhe si të hapet.
Ai thotë se këto dy detaje e kanë mbajtur urën të mbyllur tash e sa kohë.
Hamza veprimet e fundit të Qeverisë Kurti rreth hapjes së Urës së Ibrit i ka quajtur si farsë të paramenduar propagandistike për qëllime elektorale dhe për të larguar vëmendjen nga dështimi në qeverisje.
“Sikurse edhe dhjetëra herë më herët, edhe këto ditë po dëshmojmë një ortek të manipulimeve të opinionit publik nga kjo qeveri në shkuarje. Veprimet e tyre në veri s’janë tjetër veçse një farsë e paramenduar propagandistike. Për qëllime të spektaklit elektoral, Albin Kurti sot po përpiqet që së pari t’i mbyllë disa filiale të shërbimeve publike të Serbisë, që mos të diskutojmë dështimet në ekonomi, dështimet në arsim, dështimet në investime kapitale, shkeljet e hatashme të ligjit në prokurime dhe tendera njëburimor. Lista e dështimeve dhe e dëshpërimeve me këtë qeverisje është tepër e gjatë”, ka thënë Hamza për Express.
Ai tutje ka thënë se Ura mbi Ibër duhet të hapet por jo duke i prishur urat me aleatët nëpër botë.
Hamza ka thënë se Kurti nuk po e hap dot urën dhe se po e forcon edhe më shumë prezencën e NATO-s mbi Urën e Ibrit. Sipas Hamzës kjo nuk e forcon sovranitetin dhe se Qeveria e Kosovës në krye me Kurtin po e kthen KFOR-in, EULEX-in dhe Rezolutën 1244.
“Po e përsëris, ura mbi Ibër duhet të hapet. Mirëpo, jo duke i rrënuar të gjitha urat tjera me botën, me partnerët dhe me bashkëqytetarët tonë në veri. Ura duhet të hapet si simbol i bashkëpunimit me qytetarët dhe aleatët tonë. Kështu siç po vepron kjo qeveri e papërgjegjshme, po rrezikojmë që ajo të mbetet e mbyllur edhe për një kohë shumë të gjatë. Albin Kurti nuk po e hap dot urën, veç sa po e cementon prezencën e NATO-s mbi atë urë. Nuk po forcohet sovraniteti por Qeveria e Kosovës pe kthen KFOR-in dhe EULEX-in dhe po e kthen Rezolutën 1244. Ky është zhvillim për keqardhje”, ka thënë Hamza.