
Hamza: Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar ICK-në dhe theksoi rëndësinë e teknologjisë dhe inovacionit për ekonominë e Kosovës.
Ai vuri në pah punën e të rinjve në fushat e Inteligjencës Artificiale, sigurisë kibernetike dhe printimit 3D, duke premtuar se si kryeministër do të mbështesë zhvillimin e një ekonomie digjitale dhe të dijes.
“Një vizitë në ICK, sepse teknologjia dhe inovacioni po i japin kahje ekonomisë së re të Kosovës. Vajzat dhe djemtë e këtij sektori po krijojnë zgjidhje të reja në fushat e Inteligjencës Artificiale, sigurisë kibernetike dhe printimit 3D. Madje, edhe një pjesë e fushatës sime është duke u gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si dëshmi e vizionit dhe përkushtimit tonë për inovacionin dhe të ardhmen. Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.
