Hamza nuk vendos vija të kuqe: Koalicioni me LDK-në më i preferueshëm se ai me LVV-në
Bedri Hamza, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, ka theksuar gjatë një debati se nuk vendos “vija të kuqe” për asnjë parti sa i përket formimit të koalicioneve qeverisëse.
Megjithatë, ai pranoi se një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) do të ishte më i preferuar se një me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
“Në vitin 2019 këtu në Debat Plus nuk kam vendosur vija të kuqe, pse? Të gjitha partitë janë të Kosovës. Partitë i votojnë qytetarët e Kosovës,” tha Hamza, në “Debat Plus”, duke shtuar se nuk i përjashton asnjë parti nga diskutimi për bashkëpunim.
Hamza shtoi se përparësia e tij është që të krijojë koalicion me LDK-në për shkak të afërsisë programore dhe politikave të përbashkëta.
“Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit, koncepte politike është më i pranueshëm me partitë në opozitë, me LDK-në,” u shpreh ai.
Sidoqoftë, ai nënvizoi se nuk preferon një koalicion me LVV-në për shkak të dallimeve konceptuale dhe historisë së marrëdhënieve të mëparshme.
“Me LVV-në, për shkak të dallimeve konceptuale, të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar,” sqaroi Hamza, duke theksuar se “vijat e kuqe” janë treguar të paqëndrueshme dhe nuk do të ndjekë këtë qasje.
“Nuk e kam bërë të kaluarën dhe nuk e bëj as sot, kur e kam parë sot që kanë dështuar.”