
Hamza: Në emër të Thaçit e Veselit, të ringrihemi më të fortë e më krenarë se kurrë
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se sot PDK-ja është busulla që e çon Kosovën drejt Evropës, drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejt bashkimit të shoqërisë sonë.
Hamza në Konventën e Përgjithshme të partisë, të njëmbëdhjetën me radhë, u shpreh se PDK është e gatshme ta udhëheqë Kosovën drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të mirë.
“PDK-ja, më shumë se kurrë, sot është e thirrur të jetë zëri i tyre, sepse nuk mund të flasin lirshëm. Jemi të thirrur ta mbrojmë edhe trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare. Prandaj, deri sa të jenë sërish në mesin tonë, në emër të presidentit Thaçi dhe kryetarit Veseli, në emër të të gjithë atyre që dhanë gjithçka për këtë vend, le të ringrihemi edhe më të fortë, më të bashkuar dhe më krenarë se kurrë. Sepse, ju të gjithë e dini, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka lindur në zyrë dhe nuk është formuar as në qetësinë e sallave parlamentare. Ka lindur në përballje. Në sakrificë. Në shpirtin e rezistencës. PDK ka qenë gjithmonë aty kur Kosovës i është dashur forcë, guxim, vizion e punë. Jo për lavdi personale, por për të hapur rrugë që fëmijët tanë të mos e kërkojnë më të ardhmen jashtë vendit, mirëpo të mund ta ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë”, shtoi ai.