Hamza: Absurditet, miratimi i ligjeve në kundërshtim me rekomandimet e BE-së
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se dje dhe sot i ka përcjell reagimet vendore dhe ndërkombëtare rreth Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që Qeveria i procedoi dhe miratoi në kundërshtim me rekomandimet e Zyrës së BE-së, OSBE-së dhe shteteve partnere.
“Bazuar në përvojën time të gjatë, çdo ligj e kemi miratuar vetëm atëherë kur e kemi harmonizuar me standardet evropiane dhe praktikat më të mira demokratike. Prandaj është absurditet i llojit të vet miratimi i dy ligjeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me rekomandimet e BE-së dhe organizatave vendore e ndërkombëtare. Kjo qasje e ka futur Kosovën nën sanksione. Kjo qasje po e largon Kosovën nga rruga e integrimit në BE dhe NATO”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka thënë se rendi demokratik, liria e shprehjes dhe drejtësia e pavarur janë vlerat më të çmuara në botën demokratike.
“Kosova duhet t’i mbrojë këto vlera, t’i forcojë këto liri dhe jo t’i cenojë e sulmojë!”, ka shkruar Hamza.