
Haalandi, i Cityt deri më 2034
Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland ka nënshkruar një marrëveshje të re afatgjatë me klubin që do ta mbajë atë në Etihad deri në vitin 2034.
Norvegjezi iu bashkua Cityt nga Dortmundi në vitin 2022 dhe që atëherë ka shënuar 111 gola në 126 ndeshje për klubin, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Marrëveshja e mëparshme e sulmuesit, e cila thuhet se përfshinte një klauzolë lirimi, do të skadonte në vitin 2027.
Marrëveshja e re e Haalandit do ta bënte sulmuesin të qëndrojë me Cityn deri në ditëlindjen e tij të 34-të, nëse ai qëndron në klub deri në skadimin e tij pas nëntë vitesh e gjysmë.
“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar kontratën time të re dhe të jem në gjendje të kaloj edhe më shumë kohë në këtë klub të madh”, tha Haaland.
“Manchester City është një klub i veçantë, plot me njerëz fantastikë me mbështetës të mrekullueshëm dhe është lloji i mjedisit që ndihmon për të nxjerrë më të mirën nga të gjithë”.
“Gjithashtu dua të falënderoj [menaxherin] Pep [Guardiolan], stafin e tij stërvitor, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë në klub pasi të gjithë më kanë ndihmuar kaq shumë në dy vitet e fundit”.
Txiki Begiristain, drejtori i futbollit të Cityt, tha: “Fakti që ai [Haaland] ka nënshkruar për kaq shumë kohë tregon përkushtimin tonë ndaj tij si lojtar dhe dashurinë e tij për klubin”.
Rinovimi i kontratës së Haalandit vjen dy muaj pas vendimit të Pep Guardiolas për të nënshkruar një marrëveshje të re dyvjeçare të tijën.
Është thënë se e ardhmja e Haalandit në City është e lidhur me atë të Guardiolas, por vendimi i tij për të nënshkruar një marrëveshje kaq afatgjatë e hedh poshtë këtë teori.
Kohëzgjatja e marrëveshjes së Haalandit është më e gjata në Premier League, duke eklipsuar marrëveshjen nëntëvjeçare që Cole Palmer nënshkroi me Chelsean gushtin e kaluar.
Që kur u transferua në klub nga Gjermania, sulmuesi norvegjez ka fituar dy tituj të Premierligës, Kupën FA, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën.
Haaland, djali i ish-mbrojtësit të Cityt, Alf-Inge, ka shënuar 21 herë në 28 paraqitje për Cityn këtë sezon.
Kampionët në fuqi janë 12 pikë prapa liderit Liverpool në tabelën e Premier Ligës, ndërsa kanë edhe një ndeshje më shumë se “Reds”.
Rinovimi i sulmuesit vjen pikërisht në kohën kur City është në pritje të rezultatit të çështjes së tyre disiplinore kundër Premier League.
Klubi, i cili mund të përballet me një sanksion të madh nëse shpallet fajtor, ka mohuar 115 akuzat e ngritura kundër tyre.