Gruaja e Navalnyt: Do ta vazhdoj luftën për shtetin tonë
Duke luftuar me emocionet, vetëm disa ditë pas vdekjes së dyshimtë së kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalnyt, në një burg në Arktik, Yulia Navalnaya, e veja e tij, është zotuar se do të vazhdojë të çojë përpara aktivizimin e burrit të saj, kundër qeverisë autoritare të presidentit rus Vladimir Putinit.
“Do ta vazhdoj kauzën e Aleksei Navalnyt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
“Do ta vazhdoj luftën për shtetin tonë, dhe u bëj thirrje që të qëndroni mbrapa meje. Mos e ndani vetëm dhimbjen që na ka rrethuar. Ju kërkoj që të ndani me mua edhe zemërimin dhe urrejtjen për ata që kanë guxuar të vrasin të ardhmen tonë”.
“U rikujtoj fjalët e Alekseit… ‘nuk është turp të bësh pak. Është turp të mos bësh asgjë. Është trup t’i dorëzohesh frikës’”, ka thënë shtuar ajo.
Kjo ka qenë një thirrje e papritur, por e pastër si loti, që rusët të mbajnë gjallë shpresën për ndryshim që e ka mbajtur gjallë Navalnyn, dhe të bëjnë çfarë të munden për ta jetësuar atë, në një shtet që Putin ka dominuar për gati një çerek shekulli.
Mirëpo në kohën e kufizimeve më të ashpra – prej epokës së diktatorit sovjetik Josef Stalinit – dhe teksa vazhdon lufta e Moskës kundër Ukrainës, Navalnaya përballet me betejë të ashpër, teksa synon të bëjë dallimin.
Politikani opozitar, Dmitry Gudkov, ka thënë se deklarimet e Navalnayas përbëjnë “akt të guximshëm” dhe “vendim të rrezikshëm”.
“Yulia e ka vënë mbi supe përgjegjësinë për komunikim, mbështetje dhe inspirim të njerëzve”, ka thënë Gudkov për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse, të menaxhuar prej Radios Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.