Greqia njofton masa të reja për të tërhequr të rinjtë në shkollat ushtarake

Greqia njofton masa të reja për të tërhequr të rinjtë në shkollat ushtarake

Ministrat e Mbrojtjes dhe Arsimit të Greqisë kanë njoftuar masa të reja për të tërhequr të rinjtë grekë të studiojnë në shkollat e Larta Ushtarake të vendit, në një lëvizje për të përballuar rënien e regjistrimeve në to, pasi vetëm këtë vit pati një mungesë prej rreth 450 vendesh të lira, ose gati 35% më pak se disa vite më parë.

Nikos Dendias dhe Kyriakos Pierakkakis kanë deklaruar edhe paga më të larta,  lehtësira më të mira dhe mundësi të reja për zhvillimin e karrierës, për t’i bërë forcat e armatosura më tërheqëse për të rinjtë, shkruan TCh.

Ata njoftuan se pagat mujore të studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë Ushtarak do të rriten nga 165 euro në 609 euro.

Në shkollat e larta ushtarake të Nënoficerëve pagat do të rriten nga 124 në 249 euro. Përveç kësaj, atyre do t’u jepet një leje studentore dhe fondet e mbështetjes dhe përfitimit të studimit do të dyfishohen.

“Nuk mendoj se duhet të zgjerohem mbi rëndësinë që ka për atdheun mundësia e  prodhimit të pjesëtarëve të rinj të Forcave të Armatosura dhe çfarë problemi të madh krijon situata aktuale, nëse ajo përparon me kalimin e kohës”, u shpreh Nikos Dendias ministër i Mbrojtjes.

“Nuk është vetëm një çështje arsimore. Unë do të thosha se është në radhë të parë një çështje kombëtare, është çështje e gjendjes së vendit”, u shpreh Kyriakos Pierakkakis, ministër Arsimit, Çështjeve Fetare dhe Sporteve.