Grenell: Është keq për Albin Kurtin kur i humb përfaqësuesit gjermanë në vendin e tij
Ish-emisari amerikan për bisedimet Kosovë –Serbi, Richard Grenell, ka komentuar reagimet e zyrtarëve gjermanë rreth çështjes sa dinarit dhe operacioneve të policisë për mbylljen e zyrave të Serbisë në Kosovë. Grenell, që ka shërbyer si ambasador i SHBA’së në Berlin ka shkruar për qëndrimin e Ambasadorit Jorn Rohde duke thënë se Kurti po e humb mbështetjen e tij.
”E dini është keq për Albin Kurtin kur i humb përfaqësuesit gjermanë në vendin e tij” ka shkruar Grenell.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar sot në lidhje me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa komunave paralele të Serbisë në vend.
Sipas tij, veprimet e njëanshme të Kosovës “vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”.
“Përsëri, unë e mbështes plotësisht këtë deklaratë! Masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”, shkroi Rohde.
“Dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë është i vetmi forum i përshtatshëm për t’i adresuar këto çështje”, ka shtuar ambasadori gjerman.