Greku vrau partneren shqiptare, ia mori më pas edhe telefonin që të shtirej si ajo

Greku vrau partneren shqiptare, ia mori më pas edhe telefonin që të shtirej si ajo

Detaje të tjera janë bërë publike në lidhje me vrasjen e 41-vjeçares shqiptare, Gjeorgjia Murati, në Selanik të Greqisë. Autor i kësaj ngjarje dyshohet se është partneri i saj, një 39-vjeçar grek me emrin Akis dhe një shoku i tij, një 34-vjeçar.

Siç shkruan “Protothema”, ka qenë ky i fundit që ka rrëfyer gjithçka pasi ka vënë re se po i shtrëngohej laku në fyt teksa policia po shkonte drejt zbardhjes së ngjarjes. Ai ka treguar për autoritetet çfarë ndodhi para dhe pas vrasjes brutale të gruas, e cila ndër të tjera ishte edhe shtatzënë.

Sipas hetimeve, 34-vjeçari pretendon se më 1 janar rreth orës 15:50, partneri i shqiptares e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që të vijë në shtëpinë e tij rreth orës 20:00, por të mos e merrte celularin me vete. Kështu ndodhi. Kur u takuan, Akis, partneri i shqiptares, i kërkoi që ta ndihmonte që të kryejnë një “grabitje të rreme Gjeorgjisë”. Aty i ka shpjeguar në detaje planin.

Akis i ka thënë se do ta merrte Gjeorgjinë nga puna dhe kur të dy të ktheheshin në apartament, shoku i tij do të sulmonte Gjeorgjinë, ta kapte nga mbrapa dhe t’i lidhte gojën që të mos bërtiste. Më pas do ta çonte në dhomën e gjumit dhe do ta prangoste.

34-vjeçari ka thënë ndër të tjera se Akis i ka treguar për një thikë të verdhë që mund ta merrte për ta kërcënuar partneren e tij. Pasi ta kapnin atë, në mëngjes do të shkonin në shtëpinë e prindërve të Gjeorgjisë dhe do të merrnin aty 7-8 mijë euro që mbanin ata aty. Më pas do të shkonin sërish në apartamentin e 41-vjeçares dhe do të lironin gruan.

Sipas shokut të Akis, plani ka nisur të zbatohet rreth orës 21:00 kur greku shkoi për të marrë 41-vjeçaren nga puna. Vetë ai qëndroi në shtëpi me dritat fikur dhe grillat e ulura poshtë, i fshehur në dhomën e pritjes.

Çifti u kthye në shtëpi rreth orës 23:00. Gjeorgjia hyri në apartament, 34-vjeçari e sulmoi nga mbrapa duke i mbyllur gojën dhe kërcënuar me thikë. Më pas e çoi me dhunë në dhomën e gjumit, ku partneri i saj pasi fiku dritat i lidhi duart dhe i mbylli gojën dhe sytë. Më pas mori thikën e bashkëpunëtorit dhe i tha që të priste në makinë.

Pas 10 minutash, 39-vjeçari ka shkuar poshtë dhe i ka kërkuar shokut që të ngjitej sërish për ta ndihmuar. Kur 34-vjeçari e ka pyetur se çfarë ndodhi, Akis i është përgjigjur: Gjeorgjia ka vdekur. Më tej, ai ka thënë se ka parë 41-vjeçaren të shtrirë në shtrat në një pellg me gjak.

Më pas në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit ata e futën trupin e shqiptares në një bagazh dhe e çuan në një zonë rurale dhe të pyllëzuar disa kilometra më tutje. Në të njëjtën kohë, pastruan vendin ku ndodhi vrasja dhe hodhën provat në disa vende të ndryshme.

Për ta bërë më të besueshme, Akis ka marrë celularin e partneres dhe i ka dërguar një mesazh nënës së saj ditën pas ngjarjes. Mes të tjerave, ai shkruante në emrin e Gjeorgjias se ajo kishte një punë pezull dhe i duhej të shkonte diku, duke shtuar se Akis (ai vetë) nuk dinte gjë për këtë.

“Mami mirëmëngjesi. Nuk do të vij dot këtë mëngjes pasi kam një gjë pezull dhe do të shkoj ta zgjidh. Nuk i kam thënë gjë Akis-it, ai e di që do të vij në shtëpi. Shihemi më vonë, tani kam punë”, i shkruante ai nga celulari i Gjeorgjisë. /tvklan