“Grassroots Week” bashkon personat me aftësi të kufizuara

“Grassroots Week” bashkon personat me aftësi të kufizuara

Festivali i futbollit “Grassroots Week” sot ishte edhe më i bukur. Personat me aftësi të kufizuara i dhuruan shumë ngjyra javës, e cila shënon nisjen e sezonit të ri të programit Grassroots.

Aktiviteti u mbajt në Kampin Nacional në Hajvali, ku në bashkëpunim me qendrat për kujdesen e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga regjione të ndryshme, morën pjesë dhjetëra persona të moshave të ndryshme nga të dy gjinitë.

Nën rrezet e diellit dhe nën përkujdesjen e kujdestarëve, trajnerëve dhe gjithë stafit organizativ, pjesëmarrësit e shijuan pafund lojën e futbollit.

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdimisht i kushton rëndësi personave me aftësi të kufizuara përmes programit Grassroots, i cili financohet nga UEFA. Ky program synon që futbolli të jetë i qasshëm për të gjithë, pa dallim.

Për të përshëndetur Javën e Grassroots dhe për të takuar nga afër pjesëmarrësit, sot i pranishëm ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

“Ishte kënaqësi të jem në mesin e këtyre fëmijëve si pjesë e komunitetit tonë e që tashmë janë edhe pjesë e sportit përkatësisht futbollit. Me projekte të tilla, kemi arritur që të kemi gjithëpërfshirje në futboll dhe t’i bashkojmë të gjithë personat pa dallim. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne dhe FFK do të përkujdeset që në vazhdimësi të organizojë dhe zhvillojë aktivitetet në të mirë të gjithë shoqërisë. Për këtë arsye edhe kemi investuar në infrastrukturë, duke krijuar fusha dhe një kamp të përshtatshëm për të gjithë”, theksoi i pari i FFK-së.

Festivali “Grassroots Week” do të vazhdojë edhe për disa ditë, derisa destinacioni radhës do të jetë Obiliqi.