Golfi publikon modelin e ri “MK8.5”
Volkswagen Golfi i ri ka arritur. Përditësimi i gjeneratës së tetë të modelit të njohur vjen i njohur si Golf MK8.5.
Golfi është një prej veturave më të njohura të të gjitha kohërave në botë. Ngelet kyç për Volkswgenin. Ndryshimet në modelin e ri janë më të rëndësishme se kurrë – vijnë në 50-vjetorin e modelit.
Modeli i ri vjen me agresivitet më të madh në pjesën e përparme. Volkswageni ka ndryshuar edhe dizajnin e dritave. Dizajni i ri i rrotave dhe ngjyrat e reja e bëjnë dallimin.
Interieri vjen me më shumë butona fizikë, siç pati paralajmëruar edhe vetë Volkswageni. Ka edhe ekrane të shumta të ndjeshme me prekje.
Si gjithmonë, R-Line është në krye të modelit Golf, ndërsa vijnë edhe variantet GTI e GTE.
Modeli karavan do të vazhdojë të jetë.
Përpos dizajnit, modeli i ri vjen edhe me përditësime në motorë.
Sa u përket motorëve, gjithçka nis me modelin benzinë 1.5-litërsh me 113 ose 148 kuajfuqi e që vijnë me marsh manual me gjashtë shpejtësi. Një version hibrid eTSI me motor 1.5-litërsh vjen me të njëjtën fuqi, por me marsh automatik.
Modeli 2.0-litërsh TSI dhe 201 kuajfuqi vjen me marshin DSG me shtatë shpejtësi.
Sa u përket dizelëve, modeli 2.0-litërsh vazhdon të qëndrojë me 113 ose 148 kuajfuqi. I pari është me marsh manual, e i dyti DSG.
Ata që nuk i duan motorët dizelë, kanë në dispozicion versionin eHybrid me 201 kuajfuqi.
Tash kur modeli i famshëm po mbush 50 vjet, Volkswageni po përgatitet për gjeneratën e nëntë. Kompania gjermane do t’ia nisë prodhimit në fund të dekadës në Wolfsburg. Mbetet të shihet nëse Volkswageni do të dalë në versionin vetëm elektrik.
Golfi është vetura më e pëlqyer nga kosovarët.