Golden Eagle Ylli fiton duelin për vendin e tretë ndaj Sigal Prishtinës
Në një ndeshje dramatike, ku fituesi u përcaktua pas vazhdimeve, Golden Eagle Ylli shënoi fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 103:95 (17:26, 24:25, 25:15, 19:19, 18:10), në javën e 24-t të Prince Caffe Superligës.
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë dhe në çerekun e parë kishin epërsi deri në 11 pikë, 15:26, derisa kjo pjesë përfundoi 17:26. Bardhekaltrit epërsinë më të lartë e kishin 14 pikë, 19:33, derisa periudha e dytë u karakterizua si e barabartë, ku pjesa e parë përfundon 41:51.
Megjithatë, therandasit u rikthyen në periodën e tretë, ku në fund të kësaj pjese barazojnë rezultatin në 66:66. Lojë interesante e me kthesa u zhvillua në çerekun e katërt, ku bardhekaltrit në fund po fitonin 80:82, por vendasit me pesë pikë radhazi kaluan në epërsi 85:82, kurse Henrik Sirko me një treshe barazoi shifrat në 85:85, 38 sekonda nga fundi, që ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, pasi dy skuadrat nuk shënuan dhe sfida shkoi në vazhdim, ku Jan Palokaj shënoi tre treshe dhe ishte vendimtar në fitoren e Yllit me rezultat 103:95.
Te Golden Eagle Ylli më të mirët ishin Alonzo Verge Jr me 37 pikë, pesë kërcime e tetë asistime, Jan Palokaj me 21 pikë dhe Nate Grimes me 21 pikë e 13 kërcime, kurse te Sigal Prishtina më i miri ishte Diamond Stone me 28 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime.
Golden Eagle Ylli tani renditet në vendin e tretë me 15 fitore e nëntë humbje, derisa Sigal Prishtina e katërta me 14 fitore e dhjetë humbje.