Golden Eagle Ylli dhe Peja triumfojnë në derbit e kësaj xhiro
Në një super ndeshje dhe me rikthime, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Bashkimit në Prizren me rezultat 69:72 (20:16, 15:16, 20:20, 14:20).
Takimi u zhvillua në kuadër të javës së 12-të të ProCredit Superligës.
Nga fillimi kjo sfidë ishte e baraspeshuar, ku në çerekun e parë, asnjëra nuk arrinte të shkëputej, duke përfunduar kjo pjesë 20:16, derisa periudha e dytë ishte tërësisht e barabartë, 15:16, për të shkuar në pushim me shifrat 35:32.
Në periodën e tretë, vendasit u shkëputën në 11 pikë, 46:35, por therandasit u rikthyen, për të bërë ndeshjen shumë interesante, ku rezultati pas 30 minutash ishte 55:52. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua luftë e madhe nga të dy skuadrat, por basketbollistët vendas ishin të pavëmendshëm në fund, derisa ata mysafirë dhanë gjithçka nga vetja dhe ia arritën qëllimit për të triumfuar 69:72.
Te Bashkimi u dallua Lejson Zeqiri me 15 pikë e tetë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli më i miri ishte Quade Green me 30 pikë.
Prizrenasit kanë tetë fitore e katër humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e pesë humbje.
Ndërkaq Peja ka fituar derbin e javës ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 86:71 (23:19, 23:15, 20:16, 20:21), në xhiron e 12-të të ProCredit Superligës.
Pejanët e nisën ndeshjen më mirë, me epërsi prej 9:2, por prishtinasit u rikthyen për të rikthyer epërsinë në favor të tyre, 13:16, derisa çereku i parë përfundoi 23:19 për vendasit, që vazhduan me lojë edhe më të mirë në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me shifrat 48:34.
Edhe në periodën e tretë, verdhezinjtë për një nuancë ishin më të mirë, 20:16, derisa në dhjetë minutat e fundit ruajtën epërsinë dhe fituan me 15 pikë dallim, 86:71.
Te vendasit u dalluan Jonathan Galloway me 11 pikë e 18 kërcime dhe Tristan Ikpe me 11 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët më i miri ishte Rashad Williams me 36 pikë.
Peja ka gjashtë fitore e gjashtë humbje, derisa Sigal Prishtina gjashtë fitore e pesë humbje.