GLPS thotë se 30 vendime të qeverisë në largim janë të kundërligjshme

GLPS thotë se 30 vendime të qeverisë në largim janë të kundërligjshme

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka njoftuar se është duke ndjekur në vazhdimësi zhvillimet politike nga 9 shkurti 2025 – dita e zgjedhjeve, certifikimi i rezultateve, dorëheqjet e zyrtarëve të kabinetit qeveritar të zgjedhur deputetë dhe miratimit të raportit për verifikimin e mandateve nga Kuvendi i Kosovës më 19 prill.

Duke u rezervuar mbi kushtetutshmërinë e dispozitave të Ligjit Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës që rregullojnë situatat, kompetencat e kufizimet kur Qeveria konsiderohet në detyrë apo në largim, bazuar në këtë ligj që është aktualisht në fuqi, janë analizuar vendimet e ekzekutivit në largim, që janë marrë në 10 mbledhjet e mbajtura nga dita e zgjedhjeve e deri më tani.

“Me shpërbërjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vendin tonë më 9 shkurt 2025, Qeveria Kurti 2 ka kaluar si qeveri në largim konform nenit 28, par.1.4 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, kurse kufizimet për detyrat dhe përgjegjësitë e saj deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi janë përcaktuar në nenin 31 të këtij Ligji. Nga data 9 shkurt 2025 (dita e zgjedhjeve) e deri më 27 mars 2025 (dita e certifikimit të rezultateve nga KQZ), Qeveria në largim ka mbajtur 7 mbledhje dhe ka marrë 76 vendime. Marrë parasysh kufizimet që i njeh Ligji në situatat kur kemi të bëjmë me qeveri në largim, GLPS vlerëson se 13 nga këto vendime janë të kundërligjshme për shkak se janë marrë duke i tejkaluar kufizimet në kuadër të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë. Kurse, vendimet e tjera janë në kuadër të punëve të përditshme dhe për shkak të vijueshmërisë normale të veprimtarisë ekzekutive”, është thënë në njoftimin e GLPS-së.

Vendimet e kundërligjshme i përkasin natyrës së inicimit të procedurave të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve, përfshirë por duke mos u kufizuar në themelimin e komisioneve ad-hoc për pozitat: Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor; Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Po ashtu, GLPS si të kundërligjshme i konsideron edhe vendimet me të cilat Qeveria në largim, pavarësisht kufizimeve, i ka marrë lidhur me miratimin e koncept-dokumenteve dhe strategjive, të tilla si: Dokumenti Strategjik dhe Plani i Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme – NFH (early childhood intervention-eci) 2025-2030, Koncept-dokumenti për Shëndetin e Bimëve, Koncept-dokumenti për Bujqësi Organike etj.

Ndërsa, duke qenë se nga data 27 mars 2025, kur në kundërshtim me Kushtetutën, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar zyrtarët me post ekzekutiv si deputetë të legjislaturës së IX-të, të njëjtit duke shfrytëzuar mandatin kundër kushtetues si zyrtarëve me post ekzekutiv e njëkohësisht të certifikuar si deputetë kanë marrë pjesë dhe kanë votuar në tri mbledhjet e radhës të ekzekutivit.

“Në këto takime janë marrë gjithsej 17 vendime, nga një kabinet qeveritar i cili në përbërjen e tij ka pasur kryeministër e ministra që në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës, kanë prezantuar dhe kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që secili nga këto vendime është i kundërligjshëm sepse është marrë nga një përbërje e Ekzekutivit në kundërshtim me aktin më të lartë juridik”, ka njoftuar GLPS.

Në këtë situatë me përbërjen e këtij kabineti qeveritar, GLPS rekomandon që mos të merren më vendime të cilat bien ndesh me Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Bazuar në kufizimet e qeverisë në largim rekomandojmë që secili vendim i radhës të merret në një përbërje legjitime.