Gjykimi për “53 milionëshin” drejt fundit, prokurori kërkon dënim maksimal për katër të akuzuarit

Gjykimi për “53 milionëshin” drejt fundit, prokurori kërkon dënim maksimal për katër të akuzuarit

Prokurori Special, Valdet Gashi, në fjalën përfundimtare në rastin e njohur si “53 milionëshi”, ka deklaruar se pas administrimit të të gjitha provave është provuar në tërësi gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë.

Ai ka kërkuar dënim maksimal për të pandehurit.

“Kërkojmë nga Gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale që aktakuza i ngarkon, t’i dënojë me dënim maksimal”, ka deklaruar prokurori Gashi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri,  drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Paraprakisht, në këtë seancë është administruar prova “Protokoll për zgjatjen e afatit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit” e propozuar nga mbrojtja e Nebih Shatrit.

Në këtë seancë pritet të japin fjalën përfundimtare edhe të akuzuarit Lekaj, Berisha, Shatri e Tahiri dhe mbrojtësit e tyre./BetimipërDrejtësi