Gjykata Supreme urdhëron Trumpin të zhbllokojë ndihmën ndërkombëtare

Gjykata Supreme urdhëron Trumpin të zhbllokojë ndihmën ndërkombëtare

Gjykata Supreme amerikane më 5 mars rivendosi urdhrin që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të zhbllokojë ndihmën ndërkombëtare të ngrirë, por nuk është e qartë se sa shpejt mund të zhbllokohen këto fonde.

Në një votim me rezultat 5 me 4, Gjykata Supreme refuzoi apelin urgjent nga administrata amerikane, ndërkohë që i kërkoi gjykatësit të Gjykatës të shkallës së parë, Amir Ali, që të sqarojë urdhrin e tij të mëparshëm që kërkon zhbllokimin e shpejtë të gati 2 miliardë dollarëve ndihmë për punën që veçse është kryer, raporton Rel.

Pavarësisht se ky vendim mund të konsiderohet humbje, në terma afatshkurtër, për administratën e Trumpit, grupet jofitimprurëse dhe bizneset që kanë paditur janë ende duke pritur paratë që thonë se ju takojnë. Një nga organizatat javën e kaluar u detyrua të pushonte nga puna 110 punonjës si pasojë e mungesës së fondeve, u tha në dokumentet e gjykatës.

Gjykatësi Samuel Alito ishte në mesin e katër gjykatësve që kundërshtuan vendimin, duke thënë se Ali nuk ka autoritetin që të urdhërojë pagesat. Alito shkroi se ishte i habitur që Gjykata po “imponon një dënim prej 2 miliardë dollarësh mbi taksapaguesit amerikanë”.

Vendimi i Supremes lë në fuqi urdhrin për ndalimin e përkohshëm të lëshuar nga gjykatësi Ali, i cili kishte pezulluar ngrirjen e shpenzimeve. Ali do të mbajë një seancë dëgjimore për të shqyrtuar një pezullim më afatgjatë.

Shumica e gjykatësve në vendim thanë se administrata nuk kishte sfiduar urdhrin fillestar të gjykatësit Ali, por vetëm afatin, i cili ka skaduar javën e kaluar.