
Gjykata Speciale e dënon me 18 vjet burgim Pjetër Shalën
Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar të martën me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës.
Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata.
Prokuroria ka kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën.
Pjetër Shala, shtetas belg, i njohur më parë me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.