
Gjykata cakton një muaj paraburgim për katër serbët e arrestuar në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke u caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të nacionalitetit serb, për shkak të “dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”‘.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Prokuroria tha se të dyshuarit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kishin mbajtur armë të ftohta gjatë vizitës së tyre në në disa nga Manastiret Ortodokse në Kosovë të shtunën.
Sipas njoftimit, në veturën me të cilin po udhëtonin ata, e tipit Toyota, Policia e Kosovës gjeti një sëpatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë.
Ata akuzohen se e kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar në atë zonë dhe nuk kishin deklaruar se në veturën e tyre bartnin armë të ftohta.
“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, tha Prokuroria.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që, nëse do të gjendeshin në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale si dhe rreziku i ikjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Përveç katër të dyshuarve në Gjakovë, autoritetet kosovare i ndaluan edhe 12 të dyshuar të tjerë në Prizren në fundjavë.