Gjoshi i PDK-së: Statistikat e ASK-së po e fundosin propagandën e Kurti

Gjoshi i PDK-së: Statistikat e ASK-së po e fundosin propagandën e Kurti

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka bërë me dije se fjalët e kryeministrit Albin Kurti për prosperitet demokratik janë propagandë.

Ai ka vlerësuar se statistikat po nxjerrin në shesh propagandën e tij dhe po dëshmojnë të vërtetën për gjendjen e rëndë ekonomike.

Në profilin e tij në “Facebook”, Gjoshi ka shkruar se sipas ASK-së, “43.4% e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 €”.

“Janë të kota fjalët e mëdha të Albin Kurtit për prosperititetin ekonomik të Kosovës. Statistikat po nxjerrin në shesh propagandën e tij dhe po dëshmojnë të vërtetën për gjendjen e rëndë ekonomike nëpër të cilën po fundosen çdo ditë, me radhë, familjet kosovare. Të dhënat që vijnë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, që flasin për vitin 2022, por që janë publikuar në vitin 2023, janë shqetësuese. Sipas ASK-së: ‘43.4% e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 €’.”, ka shkruar Gjoshi.

Ai ka bërë me dije se gjatë Qeverisë Kurti vazhdimit është shtrenjtuar jeta e qytetarëve.

“Pra, ja çka i ka bërë Kosovës, i paafti Albin Kurti. Duke e shtrenjtuar çdo ditë jetën e qytetarëve të Kosovës, qytetarët nuk po arrijnë të mbajnë para, sepse ato duhet shpenzuar në fatura të domosdoshme dhe të detyrueshme. Edhe pse këto shpenzime/fatura janë rritur, në raste të caktuara 115% siç është rasti me energjinë elektrike, Kurti dhe Qeveria e tij nuk ka ndërmarrë asnjë hap të vetëm për të rritur pagat apo për të marrë masa që këto shtrenjtime të mos ndodhnin”, ka shkruar Gjoshi.