
Gjini: Rritja e tatimit në pronë do të ngarkojë jashtëzakonisht shumë qytetarët dhe bizneset
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, reagon ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e tatimit në pronë, duke theksuar se këto politika po i rëndojnë padrejtësisht qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Sipas Gjinit, komunat nuk janë konsultuar për ndryshimet në normat e tatimit në pronë, të cilat po rezultojnë me barrë të papërballueshme, sidomos për bizneset që tashmë operojnë me kosto të larta.
“Rivlerësimi i pronave është procedurë, e cila duhet që të ndodhë, por normat janë problematike. Do të kemi biznese, të cilat do të paguajnë më shumë tatim në pronë sesa shpenzime, të cilat i kanë operative, punëtorë që i mbajnë, që i paguajnë me paga. Është shumë”, tha Gjini, raporton EkonomiaOnline.
Ai tha se komunat nuk kanë kërkuar një rritje të tillë të tatimit në pronë, madje kanë qenë kundër saj.