Gjilani dhe Suhareka ndajnë pikët, Dukagjini triumfon në fundin dramatik ndaj Feronikelit 74
Dita e parë e xhiros së 13-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll solli dy ndeshje përplot emocione dhe dramë.
Gjilani dhe Suhareka ndanë pikët pasi barazuan 1:1, në ndeshjen e zhvilluar në fushën me bar sintetik në Gjilan. Nikola Stijepoviq kaloi Suharekën në epërsi, në minutën e 31-të, por Gjilani reagoi shpejt, duke barazuar vetëm gjashtë minuta më vonë përmes një gjuajtje të bukur nga Senad Jaroviq. Pas 13 ndeshjeve të luajtura, Gjilani ka grumbulluar 14 pikë, duke u renditur në vendin e tetë, ndërkaq Suhareka, renditet e pesta me 18 pikë.
Në takimin tjetër, Dukagjini fitoi në mënyrë dramatike ndaj Feronikelit 74, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultat 2:1. Ndeshja u vendos në minutat e fundit, duke ofruar një nga përballjet më të bujshme të javëve të fundit. Pas golit të shënuar nga Hekuran Berisha në minutën e 49-të, situata për vendasit u përkeqësua, pasi Berisha (74’) dhe më pas Faton Neziri (81’) u ndëshkuan me kartonë të kuq. Me epërsi të dukshme numerike në fushë, Feronikeli 74 barazoi rezultatin në minutën e 88-të me sulmuesin grek Nikolaos Ioannidis dhe kishte synimin për të marrë tri pikët nga ky duel.
Megjithatë, loja e Dukagjinit nuk përfundoi aty, pasi në minutën e 95-të Vitor Hugo shënoi golin e fitores. Fillimisht goli nuk u pranua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit në VAR, goli doli të jetë i rregullt, duke i dhënë Dukagjinit një fitore tejet të rëndësishme.
Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ngjitet në vendin e gjashtë me 17 pikë, duke mbajtur një seri pozitive prej pesë ndeshjeve pa disfatë, ku përfshihen tri fitore dhe dy barazime. Ndërkohë, Feronikeli 74 mbetet në fund të tabelës, me vetëm tre pikë të mbledhura nga tri barazime.