Gjilani dhe Dukagjini rikthehen te fitorja

Gjilani dhe Dukagjini rikthehen te fitorja

Java e 23-të e AlbiMall Superligës së Kosovës është përmbyllur me dy ndeshje interesante, që u zhvilluan të dielën, e ku fitoreve iu gëzuan skuadrat vendase.

Skuadra e Gjilanit ka regjistruar fitore të rëndësishme në duel me Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0. Golin e fitores për Gjilanin e realizoi Albin Prapashitca në minutën e 69-të, duke ndihmuar ekipin të afrohet më shumë me zonën evropiane.

Megjithatë, heroi i ndeshjes në fund doli të jetë portieri Kenan Haxhihamza, i cili priti penalltinë e minutës së 94-t të ndeshjes, e cila u konfirmua pas rishikimit të situatës me sistemin VAR. Haxhihamza ndali gjuajtjen gjuajtjen e kapitenit të skuadrës nga Drenasi. Pas kësaj fitoreje, Gjilani renditet në pozitën e katërt me 34 pikë, vetëm tre më pak se Malisheva që mban vendin e tretë. Feronikeli 74 mbetet në pozitën e fundit të renditjes me 14 pikë.

Ndërkaq, Dukagjini është rikthyer te fitorja në Superligë, duke mposhtur Malishevën me rezultat 1:0 në Klinë.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Mërgim Pefqeli në minutën e 10-të. Dukagjini pati edhe një rast për të dyfishuar epërsinë, por goli i realizuar në minutën e 93-të u anulua për pozitë jashtë loje.

Me këtë fitore, Dukagjini arrin kuotën e 28 pikëve dhe renditet në vendin e shtatë. Malisheva mbetet në pozitën e tretë me 37 pikë.