Gjermania, shtëpia e prostitucionit të Evropës

Gjermania, shtëpia e prostitucionit të Evropës

Në Gjermani prostitucioni është legal. Sipas aktivistëve për të drejtat e grave Gjermania është kthyer në “shtëpinë publike” të Europës. A duhet të marrë Gjermania shembullin e Suedisë?

Në Reeperbahn, në lagjen Sankt Pauli në qytetin e Hamburgut prostitucioni është model krejt normal biznesi, sidomos për burrat që janë tutorë prostitutash dhe nxjerrin para prej shfrytëzimit të tyre.

Seksi sjell në Sankt Pauli turistë nga e gjithë bota që joshen të vijnë këtu. Në këtë lagje mëkatarësh organizohen madje guida për turistët. “Këtu në Sankt Pauli shërbejnë si shtëpi publike edhe lokalet ku gratë kërcejnë lakuriq. Po të ulesh këtu për të pirë një birrë, nuk zgjat shumë dhe dikush vjen të bën ofertën, duke thënë se mund ta marrësh valltaren të shkosh edhe në dhomë” – tregon një guidë turistësh.

Synim i mirë me pasoja të rënda

Në Gjermani prostitucioni është legal. Synimi i ligjit liberal për prostitucionin, i përpiluar 20 vjet më parë ishte që të nxirreshin nga ilegaliteti gratë që punonin në këtë fushë. Me këtë ligj ato mendohej se do të fitonin të drejtën të përdornin shërbimet e sistemit të shëndetësisë dhe të sigurimit në raste papunësie.

Por pasoja është se që nga ajo kohë në Gjermani vijnë shumë burra nga vende të tjera për të blerë seks dhe bashkë me ta edhe shumë gra, që nuk e shesin trupin e tyre me vullnet të lirë.

Nja nga ato është Tereza nga Afrika. Ajo ka frikë, sidomos për foshnjën dhe familjen e saj, prandaj do të mbetet anonime. Tek trafikantët që e patën sjellë në Gjermani ajo hyri në borxh 60 mijë euro, tregon ajo. Paratë për të larë borxhin ajo duhet t’i nxjerrë tani duke dalë tek semafori. “Trafikantët e qenieve njerëzore janë nga natyra të pangopur, ata duan gjithnjë e më shumë para dhe nuk pyesin çfarë vuajtesh duhet të kalojnë gratë. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do përfundoja me një punë të tillë.” – tregon Tereza.

Që ta detyronin të ushtronte profesionin e prostitutës trafikantët madje e ndanë nga fëmija foshnjë. “Nuk do ta harroj kurrë atë natë. Ata ma morën fëmijën, më nxorën jashtë në verandë dhe mbyllën derën. Më thanë të rri atje meqënëse jam shumë kokëfortë dhe nuk dua të dal tek semafori. Unë dëgjoja fëmijën brenda që qante. Qante e qante. Pastaj e zuri gjumi. Në orën një ata hapën derën dhe më lanë të hyja brenda.” – tregon Tereza.

Askush nuk guxon t’u drejtohet autoriteteve  

Prostitucioni i detyruar dënohet në Gjermani. Por askush nuk guxon t’u drejtohet autoriteteve. Në vend që të shkojnë tek autoritetet njerëzit fshihen. Në Gjermani ka rreth 30 mijë prostituta të regjistruara. Numri i punonjëseve ilegale të seksit vlerësohet të jetë dhjetë herë më shumë.

Gjermania është kthyer në shtëpinë publike të Europës dhe modeli gjerman ka dështuar, thotë aktivistja për të drejtat e grave, Nora Evers. “Me ligjet liberale Gjermania përkrah një sistem që faktikisht i grabit gratë, i kthen ato në mall dhe u jep të drejtën burrave që të blejnë për 30 euro seks me një grua.” – thotë Evers.

Modeli nordik

Sipas saj Suedia dhe qasja e atjeshme kundër prostitucionit duhet marrë shembull. I ashtuquajturi „modeli nordik”, është duke gjetur gjithnjë e më shumë përkrahës edhe në politikën dhe median gjermane. Ky model është i përhapur edhe në vendet e tjera europiane si Norvegjia dhe Franca. Sipas legjislacionit suedez vepër penale kryen vetëm personi që blen seks. Kush kapet duke u larguar nga banesa e një prostitute, rrezikon të dënohet me gjobë. Sasia e gjobës varet nga të ardhurat e personit. Kush kapet disa herë duke blerë seks, rrezikon të dënohet me heqje lirie.

Por ndërkohë që në Gjermani shoqatat e prostitutave po diskutojnë se si mund të adoptohet modeli suedez, në Suedi shumica e mbështet ndalimin e shitjes së seksit.

Një burrë me syze, xhaketë bezhë dhe këmishë të bardhë, me një mikro fon të DW në dorë duke parë në objektiv. Në sfond është bregu i Adiyamanit Një burrë me syze, xhaketë bezhë dhe këmishë të bardhë, me një mikro fon të DW në dorë duke parë në objektiv. Në sfond është bregu i Adiyamanit

Gunnar Köhne reporter dhe autor