Gjermania planifikon të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën
Gjermania po planifikon të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm, nga rreth 8 miliardë euro në rreth 4 miliardë euro, sipas një projektbuxheti të miratuar nga qeveria.
Ministri i Financave, Christian Lindner, tha se financimi i Ukrainës ishte “i sigurt për të ardhmen e parashikueshme” për shkak të një skeme të grupit G7 të vendeve të pasura për të mbledhur 50 miliardë dollarë nga interesat mbi asetet e ngrira ruse, raporton BBC.
Gjermania është donatori i dytë më i madh ushtarak i Ukrainës, pas ShBA-së. Në vitin 2024, buxheti i Berlinit për Kievin është vendosur në rreth 7.5 miliardë euro.
Ulja e planifikuar e ndihmës vjen mes frikës në Ukrainë dhe midis aleatëve të saj evropianë se fondet e ShBA-së mund të shkurtohen apo edhe të ndalen nëse Donald Trump fiton presidencën në zgjedhjet e nëntorit.