Gjenerali Lahi Brahimaj shpall kandidaturën për deputet
Gjenerali Lahi Brahimaj ka shpallur kandidaturën për deputet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt, i cili do të jetë pjesë së AAK-së.
Ai përmes një shkrimi në Facebook tregon edhe arsyet e kandidimit për deputet.
“Kandidoj për deputet, në shërbim të popullit. Për 8 vite, u përballa me dinjitet në Hagë. Nuk e kisha shqetësimin për mua, por për trashëgiminë mbi UÇK-në. Neve na u vërtetua pastërtia e luftës dhe kjo ndihmoi po ashtu në shtet-ndërtimin e Kosovës. Iu riktheva angazhimit në bujqësi për mirëqenien e familjes dhe aktivitetit politik për të mbrojtur dhe avancuar shtetin e Kosovës. Kosova e sigurt dhe me zhvillim ekonomik – angazhimi im politik! Asnjëherë nuk kam zhgënjyer popullin tim. Asnjëherë nuk bëj kompromis për interesin e qytetarëve tanë. E tërë jeta ime dhe familjes sime është në shërbim të popullit. Kandidoj për ta përfaqësuar popullin në Parlamentin e Kosovës. Me mua në Parlament, sikurse në Luftë dhe deri më tash në paqe, vetëm do t’i shërbejë popullit! Për Kosovën direkt në NATO”, ka shkruar Brahimaj.