Gjatë 2023-s rreth 2 000 raste për vepra të ndryshme penale nga të miturit në Kosovë

Gjatë 2023-s rreth 2 000 raste për vepra të ndryshme penale nga të miturit në Kosovë

“Të gjithë, e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për një sistem funksional të edukimit, i cili, në njërën anë, i mëson ata se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve dhe, në anën tjetër, i mban qytetarë të përgjegjshëm dhe reagues ndaj dhunës”, thotë Artan Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë qëllim duhet të angazhohen si prindërit, ashtu edhe shkollat.

Mendim të ngjashëm ndan edhe psikologia Teuta Danuza.

“Prindërit, sot, duhet të kalojnë shumë e më shumë kohë me fëmijët e tyre”, thotë ajo.

Fundjavën që shkoi, në Kosovë u raportua për vdekjen e Lulzim Fejzullahut, 18 vjeç, i cili paraprakisht u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës – pjesa verilindore e vendit – më 14 janar.

Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.

Nga raportimet e disa mediave në Prishtinë, zënka mes të rinjve nisi në një floktari, ndërsa motivet që çuan në rrahjen me mjete të forta, nuk dihen.

Gati 2.000 raste me të mitur si kryes të veprave penale

Të dhënat që siguroi mediumi nga Policia e Kosovës tregojnë se në vitin 2023 janë evidentuar gjithsej 1.992 raste, ku të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Në mesin e tyre dominojnë 438 raste me lëndime trupore dhe 193 raste për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas policisë.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga OBSH-ja në tetor të vitit 2023, mbi 176.000 vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç, që nënkupton 37% të numrit total të vrasjeve në të gjithë botën.

“Vrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve të moshës 15-29 vjeç dhe shumica dërrmuese e vrasjeve përfshijnë viktima meshkuj”, vlerëson OBSH-ja. /rel