Gërxhaliu: Shqetësuese, rënia e eksporteve ‘Made in Kosova’

Gërxhaliu: Shqetësuese, rënia e eksporteve ‘Made in Kosova’

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ekonomia e Kosovës edhe më tutje vazhdon të mbetet nën dominimin e agjendës politike.

Ai ka thënë se numërimi i tejzgjatur i votave dhe vonesa në epilogun e zgjedhjeve po krijojnë stagnim në proceset shtetërore, e në veçanti në ato ekonomike.

“Mungesa e investimeve të huaja është shqetësuese për të ardhmen ekonomike të Kosovës. Procesi gjyqësor me ish-krerët e UÇK-së dhe shtetit, sanksionet ekonomike të BE-së ndaj Kosovës, raportet e zbehura me aleatët strategjikë si ShBA-ja dhe vendet evropiane, si dhe mungesa e stabilitetit politik, që lidhet kryesisht me dialogun me Serbinë, janë arsye shqetësuese për të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe për investimet e huaja. Mungesa e një diplomacie aktive të Kosovës, në veçanti asaj ekonomike, po dëmton edhe më shumë imazhin e vendit”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se ka filluar një rend i ri botëror, “Trampizmi”, dhe si duket, Kosova nuk po e kupton nevojën dhe arsyen për reflektim dhe ndryshim të qasjes.

“Është shqetësuese situata në sektorin privat, e në veçanti në atë prodhues, ku bilanci tregtar dy mujor për vitin 2025 është 120.65 milionë euro eksporte dhe 985.76 milionë euro importe. Gjithashtu, shqetësuese është situata në sektorin e energjisë elektrike, ku ka paralajmërime për ngritje të çmimit për 15%, që do të jetë një goditje e rëndë për sektorin, e në veçanti për atë prodhues. Tentativa për tregun e lirë të energjisë për biznese do të jetë një barrë shtesë, sepse, krahas çmimit të lartë të energjisë elektrike, transporti i saj do të rrisë koston dhe do të ndikojë në mënyrë zinxhirore edhe në çmimin e produkteve vendore, duke ulur konkurrueshmërinë në tregjet rajonale dhe më gjerë”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se partneriteti me sektorin privat dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm duhet të jetë prioritet i prioriteteve për çdo qeveri që do të themelohet në të ardhmen.