
Gërvalla pret në Aeroportin “Adem Jashari” kryediplomaten e BE-së, Kaja Kallas
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i uroi mirëseardhje Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Kjo vizitë zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Republikën e Kosovës, e cila është më e përkushtuar se kurrë në forcimin e institucioneve demokratike, garantimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës së saj të qartë dhe të pandalshme drejt integrimit euroatlantik.
Republika e Kosovës është sot një aktor i përgjegjshëm ndërkombëtar dhe një partnere e besueshme në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Me institucione funksionale, me vizion të qartë politik dhe me mbështetje të gjerë qytetare, Kosova është e vendosur të kontribuojë aktivisht në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe vlerave demokratike.