Gërvalla: Një pjesë e qytetarëve kosovarë të ndaluar në Serbi, janë liruar
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë të mërkurën vonë se “një pjesë” e qytetarëve kosovarë, të ndaluar gjatë ditës nga autoritetet serbe në kufijtë serbë, janë liruar tashmë.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Gërvalla shtoi se “nuk kemi informata se a janë liruar të gjithë, apo nëse ka ende qytetarë tanë që janë duke u mbajtur nëpër vende të ndryshme”.
“Do t’ju japim këto informata sapo t’i kemi verifikuar të gjitha”, theksoi ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se “numri i zyrtarëve policorë të arrestuar është goxha i madh, por nuk do të doja të spekuloja për numrin e saktë”, pasi u pyet për ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, në të njëjtën ditë.