Gërvalla niset për në Austri, do të marrë pjesë në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për në Austri, me ftesë të homologut të saj, Alexander Schallenberg.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se Gërvalla do të marrë pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili përfshin përveç Austrisë dhe gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor edhe Italinë, Kroacinë, Çekinë, Greqinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.
Ky takim synon përkrahjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor për një integrim sa më të shpejtë në strukturat e BE-së.
“Në këtë takim Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe do të avokojë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.