Gërvalla: Ndërkombëtarët po më thonë që PK-ja po pranohet nga qytetarët në veri
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka theksuar se përfaqësues të shumë shteteve i kanë thënë se janë të habitur se sa të pranueshme janë institucionet e sigurisë së Kosovës në veri të vendit.
Kështu ka thënë ajo gjatë takimin të radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
“Shtrirja e sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është natyrisht e lidhur me forcimin e shtetit ligjor. Mirëpo dua të ndaj me ju një përshtypje të cilën ma kanë shfaqur shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë vizituar Kosovën, edhe veriun gjatë muajve të fundit, edhe të cilët kanë shprehur një far habie se sa të pranishme, por edhe të pranueshme janë institucionet tona të sigurisë në veri”, ka thënë Gërvalla-Schwarz.
“Pritjet e tyre kur vijnë në Kosovë janë që ka një refuzim total që qytetarët serb të Republikës së Kosovës e shohin praninë e institucioneve tona të sigurisë dhe të drejtësie si të padëshirueshme. Ndërsa eksperienca që kanë këta njerëz që shkojnë ne veri është krejt e kundërt e asaj, pa dashur të jem naive dhe të neglizhoj problemet e shumta që kemi”, ka shtuar kryediplomatja.
Tutje, ajo ka potencuar se ka një ndryshim edhe në perceptimin e qytetarëve dhe transmetimin e përshtypjeve të tyre sidomos pas 24 shtatorit.