Gërvalla: Miqësia me ShBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet, s’ka sinjal për ndryshim

Gërvalla: Miqësia me ShBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet, s’ka sinjal për ndryshim

Sipas vlerësimit të ministres së Jashtme Donika Gërvalles, s’ka asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët

Miqësia e Kosovës me ShBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet e së nesërmes atje, tha Gërvalla në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel.

Ndërsa për dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se nën udhëheqësinë e Miroslav Lajçakut, nuk ka pasur rezultate të dëshiruara.

“Si Republikë e Kosovës që përbën popullin më pro-amerikan në botë, jemi me fat që në ShBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, si ai Demokrat edhe kampi Republikan. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Miqësia me Amerikën nuk forcohet me fjalë, por me punë. Sa i përket dialogut, shpesh kemi paralajmëruar që dialogu i udhëhequr nga Miroslav Lajçak nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, prandaj shpresoj shumë se komisioni i ardhshëm të fillojë punën sa më shpejt”, ka thënë ajo, raporton EO.